
AMP arreston 3 policë në Vlorë dhe Fier!

Agjencia e Mbikëqyrjes Policore ka arrestuar 3 oficerë policie, si dhe ka proceduar 2 të tjerë si të dyshuar për korrupsion dhe shpërdorim detyre. Bëhet me dije se janë arrestuar në flagrancë Inspektorët e policisë E. SH. dhe G. N., me detyrë Trup Shërbimi në Forcës Shqiponja në DVP Vlorë. Arrestimi i tyre u krye pas kallëzimit të marrë nga dy shtetas hollandezë, të cilët në datën 15 shtator, rreth orës 18:30, janë ndaluar në qytetin e Vlorës për shkelje të rregullave të qarkullimit rrugor. Oficerët e policisë kanë shpërdoruar detyrën duke falsifikuar dy procesverbale. Dyshohet se kanë përfituar një shumë prej 30.000 lekësh me qëllim moskryerjen e detyrës funksionale, me pretekstin se do të kryenin pagesën e gjobës. Në këtë mënyrë ata i kanë favorizuar duke mos u pezulluar Lejen e Drejtimit. Mbi oficerët e policisë rëndojnë veprat penale “Shpërdorim i detyrës” i kryer në bashkëpunim, “Falsifikim i dokumenteve” dhe “Korrupsioni pasiv kryer në bashkëpunim”. Gjithashtu, Agjencia e Mbikëqyrjes Policore për Fierin dhe Beratin në bashkëpunim me Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Fier ka bërë ndalimin e Oficerit të policisë K.Ç., me detyrë Trup Shërbimi i Trafikut Interurban në policinë e Fier. Ai akuzohet për veprat penale “Korrupsion pasiv” dhe “Shperdorim detyre”. Ndalimi u krye pasi ai ka kryer veprime korruptive me drejtues automjetesh duke mos i ndëshkuar ata me masa administrative.