Aleanca për Teatrin akuza Luigi Sorecës: Ndikoi te gjykata, do të kërkojmë shpalljen e tij “non grata”

30/06 12:07
Credits to Apollon TV
Aleanca për Teatrin akuza Luigi Sorecës: Ndikoi te gjykata, do të kërkojmë shpalljen e tij “non grata”

Aleanca për Mbrojtjen e Teatrit kanë bërë një denoncim publik për ambasadorin e Bashkimit Evropian, Luigi Soreca. Në një deklaratë për mediat nga Gjykata Kushtetuese, përfaqësuesja e Aleancës Adriana Kalaja pretendon se Soreca në datën 16 qershor, kur edhe është mbajtur seanca ka zhvilluar në mënyrë të fshehtë një takim me kryetaren e Gjykatës Kushtetuese, Vitore Tusha.

Sipas pretendimit të Aleancës, ky veprim tregon qartë se Soreca po bën presion  ndaj kësaj Gjykate dhe po lobon në mbrojtje të kryetarit të Bashkisë së Tiranës.

Po ashtu Aleanca thotë se nëse pretendimet e tyre janë të vërteta do kërkojnë që ambasadori i BE të shpallet ‘non grata’ në Shqipëri.

Nga SPAK kërkojnë sekuestrimin e kamerave të sigurisë, ndërsa është paralajmëruar edhe një kallëzim penal.

“Anëtarë të Aleancës për Teatrin të cilët punojnë tek bizneset të godinës së Gjykatës Kushtetuese, kanë konstatuar se ditën e mbajtjes së seancës së Teatrit,  ambasadori Luigi Soreca ka bërë një takim jo publik me kreun e gjykatës në 16 qershor dhe më pas ka dalë nga dera e pasme e Gjykatës.

Ne jemi shumë të shqetësuar sepse nuk e kuptojmë arsyen se përse ambasadori ka ardhur në këtë ditë seance.

Ne në kërkesat tona drejtuar Gjykatës Kushtetuese kemi kërkuar të bëhet publike nëse ky takim ka pasur interes publik, kemi kërkuar që të bëhet publike se çfarë është diskutuar dhe e fundit pse takimi, ndryshe nga takimet e tjera bëhen publike.

Për ne fakti që ambasadori është larguar nga dera e pasme e godinës, cënon shumë njëanshmërinë e Gjykatës Kushtetutës, cënon legjitimitetin e kryetares së Gjykatës apo kujtdo tjetër që ka bërë këtë takim e e bërë publike për mediat.

Takimi është zhvilluar brenda gjykatës dhe informacioni që ne kemi është se Soreca ka ardhur për të lobuar në mbrojtje të kryetarit të Bashkisë, sepse mendon se ne qendrestarët e Teatrit mund ti kalojmë gjërat kaq lehtë.

Ne me këtë kërkesë së sotme i kemi kërkuar SPAK të sekuestrojë kamerat brenda dhe jashtë Gjykatës Kushtetuese. Nëse do jetë e vërtetë ajo që ne pretendojmë do kërkojmë vetë largimin e kryetares nga trupi gjykues, në të kundërt ne do kërkojmë përjashtimin e gjyqtares nga trupi gjykues. Po bëjmë gati gjithë informacionin do ja bëjmë të ditur BE, sesi një ambasador vjen dhe bën presion pranë Gjykatës Kushtetuese.

Ne po bëjmë gati dokumentacionin do kallëzohet edhe penalisht, por do ti bëhet e ditur edhe BE. Ne do marrim gjithë hapat ligjorë që Soreca të shpallet non grata”u shpreh Adriana Kalaja përfaqësuese e Aleancës për Teatrin.

Shpërndaje

© 2021 APOLLON TV. All Rights Reserved.