Aktualitet Presidenti gjerman: Lufta kundër korrupsionit vendimtare për anëtarësimin në BE

01/12 13:42
Credits to Apollon TV
Aktualitet  Presidenti gjerman: Lufta kundër korrupsionit vendimtare për anëtarësimin në BE

Presidenti i Gjermanisë, Frank-Walter Steinmeier, ndodhet në Shqipëri , ku ka nisur sot një vizitë dyditore në Tiranë.

Në një konferencë të përbashkët me Presidentin e Shqipërisë,  Bajram Begaj, Steinmeier theksoi se Gjermania do të mbetet në krah të Shqipërisë dhe do të vazhdojë ta mbështesë vendin tonë në procesin e anëtarësimit.

“Ju premtoj zoti President që në kontekstin e reformave të nevojshme për procesin e anëtarësimit ne do të vazhdojmë t’ju mbështesim sipas mundësive tona dhe një hap mjaft i rëndësishëm në këtë drejtim është kryer më 19 Korrik, pra të këtij viti, me çeljen e bisedimeve të anëtarësimit. Përgëzimet e mia të përzemërta për këtë. Shpresoj që shumë shpejt Shqipëria të mund të bëhet pjesë e BE-së edhe në dimensionet formale të tij.

Gëzohem shumë i nderuar zoti President për dy ditët e ardhshme të vizitës sime. Unë ju siguroj që Gjermania do të vazhdojë të mbetet në krah të Shqipërisë. Gëzohemi edhe për shumë takime interesante, biseda interesante, përshtypje të reja që mund të mbledhim këtu në Shqipëri dhe do të mund t’i marrim sërish në Gjermani”, u shpreh Steinmeier.

Presidenti gjerman ndër të tjera u ndal te lufta kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar. Ai u shpreh se sukseset në këtë drejtim janë vendimtare për anëtarësimin në BE.

“Edhe për këto suksese dëshiroj t’ju përgëzoj përzemërsisht, në mënyrë të veçantë lufta kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar, ka kërkuar sikurse e dimë mjaft mirë të një volum mjaft të madh pune dhe përpjekjesh dhe sukseset në këtë rrugë janë me rëndësi vendimtare për anëtarësimin në BE, pasi BE e konsideron veten si komunitet i të drejtës dhe sipas të drejtës për demokracitë funksionale. Mendoj që suksesi në këtë drejtim do të ishte në interesin tonë të përbashkët.

Jam shumë i sigurtë që Shqipëria do ta pasurojë BE-në edhe në dimensionin kulturor të saj. Shkëmbimi i ardhshëm, i cili mbështet nga BE, do të hapë edhe më fort vendin tuaj, shumë më tepër qytetarë të BE-së do të kenë mundësinë që të shijojnë mikpritjen tuaj të made, larminë tuaj unike kulturore sikundër edhe bukuritë natyrore të vendit tuaj”, u shpreh Steinmeier.

© 2023 APOLLON TV. All Rights Reserved.