70 mijë fermerë përfitojnë mesatarisht 14 mijë lekë naftë falas nga skema e re ketë vit

09/01 9:12
Credits to Apollon TV
70 mijë fermerë përfitojnë mesatarisht 14 mijë lekë naftë falas nga skema e re ketë vit

Ministria e Financave ka përllogaritur se prej skemës së re karburant pa akcizë do të përfitojnë këtë vit rreth 70 mijë fermerë në të gjithë vendin.

Ndërsa shuma që përllogaritet për kompensim është rreth 1 miliard lekë, ose 8,1 milionë euro.

Sipas këtyre të dhënave, përfitimi mestar për fermer do të jetë rreth 14 mijë lekë në vit. Kjo shumë është sa 47% e pagës minimale mujore. Shuma nuk do të jepet cash po do të konvertohet në naftë falas.

Skema e naftës pa akcizë u rikthye këtë vit nga qeveria si një politike mbështetëse për sektorin bujqësisë.

Qeveria synon, veç të tjerash, që nëpërmjet kësaj skeme të zgjerojë numrin e  fermerëve me NIPT. Sipas të dhënave nga Ministria e Financave në vitin 2020 ishin të regjistruar me NIPT rreth 47 mijë fermerë në të gjithë vendin. Përfitimi i karburantit pa akcizë ka si kusht pajisjen me NIPT. Interesi për të përfituar nga skema do të nxisë pajisjen me NIPT të një totali prej 70 mijë fermerësh në të gjithë vendin.

Përfitues mund të jetë çdo fermer që plotëson kriterin e sipërfaqes së tokës që kërkon trajtim me makineri. Sasisë së naftës që nevojitet për punuar një dynym tokë i zbriten taksat, si akciza dhe taksat e karbonit, të cilat i kompensohen fermerit me naftë. Aplikimi për naftë falas do të bëhet online pasi fermeri të jetë pajisur me NIPT.

Për fermerët skema e naftës pa akcizë nuk do të rrisë efektivitetin në bujqësi. Stavri Gjini i cili zotëron një fermë për prodhimin e perimeve në zonën e Myzeqesë thotë se, bujqësia shqiptare është e organizuar në sipërfaqe të vogla. Duke qenë se sipërfaqja e fermave mesatarisht është 1,2 hektarë, kompensimi i akcizës nuk do të bëjë ndonjë diferencë për zhvillimin e sektorit.

Ai sugjeron se mënyra më e drejtë e mbështetjes në bujqësi është kompensimi i çmimit ose subvencioni i prodhimit me cash. Fermerët aktualisht kanë probleme me gjetjen e tregut dhe shpesh prodhojnë produkte për të cilat nuk ka kërkesë.

Skemat mbështetëse në rajon zakonisht kompensojnë prodhuesit për çmimin duke i mbuluar kostot dhe një pjesë të fitimit. Kjo është mënyra më e drejte për sektorin e prodhimit në bujqësi, tha Gjini. Sipas tij, edhe skema e diferencimit të TVSH -se mbështeti më së shumti magazinuesit dhe tregtarët, por jo prodhuesit.

Sektori bujqësor zë rreth 19% të PBB dhe gati 40 për qind të punësimit në vend, po vuan nga mungesa e produktivitetit, informalitetit të lartë dhe fitimeve shumë të ulëta që shpesh nuk justifikojnë kostot./Monitor

© 2023 APOLLON TV. All Rights Reserved.