
49 kg kokainë në konteinerin e ‘Ecoalmax’, avokati i Selim Çekajt: Është i implikuar shteti! Ne mbajmë përgjegjësi vetëm për bananet nga Ekuadori


Maks Haxhia, avokati i pronarit të kompanisë “Ecoalmax” Selim Çekaj, ku u gjetën mëngjesin e sotëm 49 kg kokainë të fshehura në konteinerin me banane, thotë se shteti është i implikuar në këtë histori.
Sipas Haxhisë, pronari Selim Çekaj mban përgjegjësi vetëm për mallin që ka marrë nga Ekuadori (bananet) dhe jo se çfarë është gjetur e fshehur në konteiner. Në rolin e avokatit mbrojtës, Haxhia tregoi gjithë historinë.
“Shkurtimisht fabula është kështu: Ka ardh konteineri me banane, dhe njoftohet Selimi si administrator i shoqërisë për të qenë i pranishëm sepse konteineri ka dalë me pullë të kuqe, domethënë me probleme. Ne bashkë me Selimin kemi kërkuar që… ne jemi pronarët e mallit.
Kemi bërë një marrëdhënie shit-blerje të këtij malli. S’kemi punë me konteinerin. Hapni konteinerin, të tërheqim mallin, kontrolloni mallin, nëse ka probleme me drogë etj. atëherë jemi në përgjegjës. Po dhe në këtë rast nuk jemi në përgjegjës se malli ka ardhur nga Ekuadori.
Hapet konteineri, bën atë operacionin, sharruan atë ku menduan se ishte droga dhe gjetën drogë”, tha avokati për gazetarin Arsen Rusta.
Sipas Maks Haxhisë, babai i Arbër Çekajt, i cili tre vite më parë u kap me 613 kg kokainë të fshehura në banane, ka bërë shumë blerje të tjera nga Ekuadori, dhe mban përgjegjësi vetëm për mallin e porositur.
“Të gjitha episodet janë në favor, pavarësisht se i ati i Arbër Çekaj është ndaluar, janë në favor sepse nuk mund ta implikojnë.
Para 3 vitesh ndodhi ngjarja me të birin. Mbas kësaj vazhdoi aktivitetin në emër të shoqërisë, ia bllokuan. Hapi shoqëri tjetër, dhe që nga ajo kohë bën import-eksport bananesh. Ka bërë dhe ngarkesa të tjera.
Fakti që gjithë argumentet implikojnë shetit, që të mos dëgjojë llogjikën minimale të argumeteve, tregojnë se është shteti në këtë mes. Shteti ka mbyllur veshët jo me një dorë, po me të dyja duart”, shtoi avokati.