4 spitalet Covid në kufijtë maksimal, zbulohet skenari që do të ndiqet tani.

14/02 7:08
Credits to Apollon TV
4 spitalet Covid në kufijtë maksimal, zbulohet skenari që do të ndiqet tani.

Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Ogerta Manastirliu ka vizituar mbrëmjen e djeshme spitalin universitar të Traumës, për masat e marra për përballimin e situatës së krijuar nga moti ekstrem, që ka përfshirë të gjithë vendin.

“Kam qenë në komunikim gjatë gjithë ditës me drejtorët e spitaleve rajonale, drejtorët e spitaleve bashkiake edhe me Urgjencën Kombëtare. E gjithë Shëndetësia është në gatishmëri për të pritur rastet e urgjencave dhe emergjencave“, tha Manastirliu.

Duke folur për situatën COVID, Manastirliu  nënvizoi se po bëhet gati skenari i parë për funksionimin e spitaleve rajonale për trajtimin e pacientëve me COVID. Kjo vjen pasi 4 spitalet në Tiranë janë duke punuar prej disa ditësh në limitet e kapacitetit të tyre.

“Situata në spitalet Covid është një situatë e kontrolluar, por numrat e pacientëve që marrin shërbime janë duke u rritur ditë pas dite. Gjatë kësaj periudhe spitalet rajonale kanë trajtuar raste post-covid, pra janë të përgatitur dhe ne kemi investuar për rritjen e kapaciteteve në këto spitale. 

Spitalet rajonale janë të gatshme për të ofruar shërbime dhe do të kemi funksionimin e skenarit të parë, siç e kemi thënë, me 5 spitalet e para rajonale në momentin që do të kemi një mbingarkesë të kapaciteteve të 4 spitaleve të Tiranës si dhe në rast të vështirësive të transportit si pasojë e motit të keq”,  nënvizoi Manasirliu.

Nga Spitali i Traumës, Manastirliu u ka bërë  apel qytetarëve që për çdo emergjencë të telefonojnë në numrin 127 dhe të mundohen që të shmangin sa më shumë lëvizjen nga një qytet në një tjetër.

“Kam një thirrje për të gjithë qytetarët, qëndroni në shtëpi, evitoni udhëtimet dhe nëse keni një problem, një emergjencë shëndetësore telefononi në numrin  127, pra Urgjencën Kombëtare. Gjithë ekipet tona janë në gatishmëri të plotë, të gjitha spitalet e vendit me Urgjencën Kombëtare janë në gatishmëri. Përveç misioneve të tjera, rreth 150 misione në ditë janë vetëm të fokusuara në ndihmë për pacientët me COVID”, tha Manastirliu.

Shpërndaje

© 2021 APOLLON TV. All Rights Reserved.