
4 orë “kokë më kokë”, përfundon takimi i Çuçit me Rumbullakun

Katër orë ka qëndruar ministri i Brendshëm Bledi Çuçi në zyrën e kryepolicit Muhamet Rrumbullaku. Deri tani nuk ka një njoftim zyrtar për arsyet dhe qëllimin, por mendohet se shkak është bërë ngjarja e ndodhur dy ditë më parë në Fushë Krujë.
Prej paradites se sotme ministri i ka shkuar në zyrë Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit, edhe pas akuzave publike ndaj kësaj organizate.
Politikanë dhe gazetarë kanë kërkuar përgjegjësi dhe reagim nga Policia e Shtetit, pasi sipas tyre, deri kur nuk kishin dalë pamjet e dhunës ngjarja është tentuar të fshihet për shkak se të përfshirë ishin familjarët e deputetit socialit Rrahman Rraja.
Një tjetër ngjarje që mendohet se ka qenë temë e diskutimeve mes ministrit të Brendshëm dhe Muhamet Rrumbullakut është dhe ajo e atentatit të ndodhur pak ditë më parë në fshatin Larushkë të Fushë Krujës, ku nga një atentat i mirë-organizuar mbeti i vdekur shtetasi Ramazan Sino.
Viktima ishte kunati i Gentian Bejtjas, një person me precedentë penalë dhe i skeduar nga Policia e Shtetit për disa ngjarje. Të plagosur mbetën dhe dy fëmijët e mitur të Gentian Bejtjas.