
37 akuza rëndojnë mbi Donald Trump, për çfarë akuzohet ish-presidenti amerikan

Ish-presidenti Donald Trump akuzohet se ka bërë komplote që kanë penguar drejtësinë.
Akuzat e ngjashme rëndojnë dhe mbi ndihmësin e tij Walt Nauta.
Në aktakuzë përcaktohet se Trump do të ruante dokumente të klasifikuara nga Shtëpia e Bardhë dhe do t’i fshihte ato nga një juri e madhe federale. Aty specifikohet gjithashtu që Trump ua ka treguar këto dokumente personave të tretë.
Dokumentet e klasifikuara përmbanin informacion në lidhje me pikat e dobëta të SHBA dhe aleatëve të saj në rast të një sulmi ushtarak, si dhe plane në lidhje me mundësinë e një sulmi të mundshëm hakmarrës në rast se krijohej nevoja për një të tillë.
“Dokumentet e klasifikuara që Trump ruante në kutitë e tij përfshinin informacion në lidhje me aftësitë e mbrojtjes dhe armëve të Shteteve të Bashkuara e vendeve të huaja; programet bërthamore të Shteteve të Bashkuara; dobësitë e mundshme të Shteteve të Bashkuara dhe aleatëve të saj ndaj sulmeve ushtarake; dhe planet për hakmarrje të mundshme në përgjigje të një sulmi të huaj”, thuhet në aktakuzë.
Sipas aktakuzës, Trump mbante dokumente nga disa degë të inteligjencës të qeverisë amerikane, duke përfshirë CIA, Departamentin e Mbrojtjes, Agjencinë e Sigurisë Kombëtare, Departamentin e Energjisë dhe Departamentin e Shtetit.
Në aktakuzën federale të zbardhur të premten, ish-presidenti Donald Trump përballet me gjithsej 37 akuza, duke përfshirë 31 akuza për mbajtje të qëllimshme të informacionit të mbrojtjes kombëtare në pronën e tij. Ai rrezikon deri në 20 vite burg.