
12 vite në luftë për jetën, i jepet lamtumira oficerit të Rrugores që i bën atentat në sy të djalit 12 vjeçar

Ministri i Brendshëm Taulant Balla, ka marrë pjesë sot në homazhet e lamtumirës për ish-oficerin e Policisë Rrugore të Tiranës, Naim Hyska, i cili mbeti i plagosur rëndë më 24 Dhjetor 2011. Prej këtij momenti, Hyska ka qenë në luftë për jetën.
Teksa të gjithë prisnin që ish-oficeri që i bënë atentat në sy të djalit 12 vjeçar të kthehej në jetë, ai fatkeqësisht është larguar përgjithmonë. Hyska nuk ka mundur të shërohet për shkak të dëmtimeve të marra dhe pas 12 vitesh, ka ndërruar jetë.
Oficeri i Sallës Operative të Policisë së Qarkullimit Rrugor Tiranë u qëllua për shkak të detyrës në mbrëmjen e Krishtlindjes 2011, pranë kryqëzimit të “21 Dhjetorit”, dhe ra në koma pasi plumbat e kapën në pjesën e kokës.
“Është e papranueshme që edhe pse kanë kaluar pothuajse 12 vjet ende Policia e Shtetit dhe Prokuroria nuk kanë vendosur para drejtësisë autorin/autorët e kësaj ngjarje të rëndë. Policia i ka shërbyer dhe i shërben me devotshmëri atdheut dhe qytetarëve, përplaset çdo ditë me kriminelë e keqbërës.
Por nuk mund të pranoj dot që dosje si kjo e vrasjes së një punonjësi policie nga keqbërësit apo dosje të tjera të rënda t’i mbulojë pluhuri i harresës. Këtë nuk do ta lejoj”, shkruan ministri Taulant Balla, teksa ka marrë pjesë në homazhet për përcjelljen e ish-oficerit Naim Hyska.